Trysnia e SHBA, Irani ngul këmbë: S’do ta ndalim pasurimin e uraniumit

 

 

Diplomati më i lartë i Iranit ka këmbëngulur të mërkurën se Teherani nuk do ta ndalë kurrë pasurimin e uraniumit, duke e përsëritur qëndrimin e ashpër të republikës islamike në prag të rundit të ri të bisedimeve indirekte me Shtetet e Bashkuara për programin e saj bërthamor.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se “e kam thënë më parë dhe po e përsëris: pasurimi i uraniumit në Iran do të vazhdojë – me ose pa marrëveshje”, raportoi televizioni shtetëror.

Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar disa runde bisedimesh, përfshirë në nivel ekspertësh për hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme.

Megjithatë, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe zyrtarë amerikanë – përfshirë presidentin Donald Trump, të dërguarin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio – këmbëngulin se Irani duhet të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.

Irani nuk kishte hequr dorë nga pasurimi i uraniumit as në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.

Araghchi shtoi se Irani “tani po shqyrton nëse do të marrë pjesë në rundin e ardhshëm të bisedimeve dhe kur do të marrë pjesë”. Negociatorët janë takuar më parë në Muskat të Omanit dhe në Romë.

Të mërkurën më vonë, ministri i jashtëm i Omanit njoftoi se rundi i pestë i bisedimeve indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahet të premten në Romë.

As Teherani e as Uashingtoni nuk e kanë konfirmuar takimin, apo nëse do të marrin pjesë.

Omani ka shërbyer prej kohësh si ndërmjetës, duke lehtësuar diplomacinë e heshtur mes tensioneve për programin bërthamor të Iranit dhe sigurinë rajonale.

Araghchi tha se Irani “nuk e ka braktisur kurrë diplomacinë. Do të jemi gjithmonë të pranishëm në tryezën e negociatave, dhe arsyeja kryesore për praninë tonë është mbrojtja e të drejtave të popullit iranian”.

“Ne i kundërvihemi kërkesave të tepruara dhe retorikës në tryezë”, shtoi ai.

Ndërkohë, një ditë më herët, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se nuk pret që bisedimet të sjellin marrëveshje.

“Nuk mendoj se bisedimet bërthamore me SHBA-në do të sjellin rezultate. Nuk e di”, tha Khamenei.

Synimi i bisedimeve është të kufizohet programi bërthamor i Iranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve ekonomike shkatërruese që SHBA ka vendosur ndaj republikës islamike.

Trump, ka paralajmëruar për mundësinë e një veprimi ushtarak nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, dhe se Izraeli që ka gjasa të marrë pjesë në sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Irani ka premtuar se do të përgjigjet ndaj çdo sulmi dhe ka treguar kapacitetet e tij ushtarake javët e fundit, përfshirë prezantimin e një rakete të re dhe një baze nëndetëse për dronë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…