Perandoria e errët e peshkimit: 5 kompani holandeze që kontrollojnë Evropën!

 

 

Një hetim i ri nga organizata franceze BLOOM dhe konsorciumi holandez i gazetarëve investigativë Spit ka zbuluar ndikimin e jashtëzakonshëm që pesë kompani holandeze ushtrojnë mbi sektorin e peshkimit evropian dhe global. Parlevliet & Van der Plas, Cornelis Vrolijk, Van der Zwan, Alda Seafood dhe familja De Boer, të njohura si “Pesëshja e Madhe”, konsiderohen tashmë si një oligopol i fuqishëm që kontrollon një pjesë domethënëse të burimeve detare të Europës.

Sipas raportit, këto kompani kanë ndërtuar një rrjet prej 400 filialesh që zotërojnë rreth 230 anije, përfshirë edhe më të madhën në botë, “Annelies Ilena”, me një kapacitet peshkimi prej 400 tonësh në ditë. Kapaciteti i kombinuar i flotës së tyre përfaqëson një të gjashtën e tonazhit total të flotës së peshkimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që ato operojnë në mënyrë të integruar vertikalisht nga kapja e peshkut deri te përpunimi dhe shitja me pakicë.

Raporti akuzon kompanitë për përfshirje në praktika të paligjshme dhe të dëmshme për mjedisin: nga korrupsioni në Namibi te peshkimi i paligjshëm në Peru. Po ashtu, kompania BLOOM pretendon se pesë gjigandët po përdorin strukturat e tyre të ndërlikuara për të shmangur taksat, për të ulur kostot e punës dhe për të fituar ndikim të tepruar në vendimmarrjen e BE-së përmes lobimit intensiv.

Me investime të përqendruara në vende si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, këto kompani zotërojnë shumicën e kuotave të peshkimit, shpesh të përfituara në mënyrë spekulative dhe të shfrytëzuara për përfitime të mëdha financiare. BLOOM vlerëson se “Pesëshja e Madhe” përfitoi mbi 53 milionë euro subvencione publike pas Brexit, shumë nga të cilat u përdorën për anije që përdorin teknika të ndaluara ose të diskutueshme të peshkimit, si rrjetat me elektroda.

Ekspertët paralajmërojnë se ky model i industrializuar i peshkimit jo vetëm që rrezikon ekosistemet detare, por po përkeqëson edhe konkurrencën dhe të ardhurat për peshkatarët e vegjël. Fitimet, sipas raportit, po kanalizohen gjithnjë e më shumë në sektorin e pasurive të paluajtshme, një tregues i mundshëm se burimet detare janë drejt shterimit.

Pesë kompanitë në fjalë janë kontaktuar për koment, ndërkohë që raporti i BLOOM po ngjall shqetësime të thella mbi të ardhmen e qëndrueshme të peshkimit në Evropë dhe përtej saj.

  • Shkrime të ngjashme

    Faton Peci emëron nënkryetar të Mitrovicës të dënuarin për vjedhje të votave

    Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë. Vendimi…

    Gjykimi për Banjskën, dy të akuzuar nuk deklarohen sërish- tjetri thotë se nuk është fajtor

    Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me…