Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

 

 

Lëvizja e papritur e Salim Sulejmanit ka hapur një kapitull të ri në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, duke krijuar dyshime mbi motivet e vërteta të largimit të tij. Fillimisht e paraqitur si një akt zhgënjimi ndaj drejtimit të koalicionit VLEN, dorëheqja e tij u interpretua si një shprehje e sinqeritetit politik, por zërat mbi një marrëveshje për një post ambasadori në Arabinë Saudite sugjerojnë se interesat personale mund të jenë në lojë.

Në deklaratën e tij, Sulejmani kritikoi BDI-në për kapjen e shtetit dhe keqpërdorimin e pushtetit, duke e akuzuar për devijimin nga premtimet elektorale. Ai argumentoi se angazhimi i tij politik nuk ishte një projekt personal, por një përpjekje për përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve. Megjithatë, veprimi i tij ka dëmtuar Aleancën për Shqiptarët, duke e lënë me vetëm katër deputetë, një numër i pamjaftueshëm për formimin e një grupi parlamentar.

Ky zhvillim ka shkaktuar ndjenjë të rrejshme të sigurisë brenda VLEN-it, sepse dorëheqja e Sulejmanit lë vend për një deputete të re nga radhët e Besës, një orkestrim i pritur që nuk e ndryshon aspak strukturën e mbështetjes, por ama tradhton elektoratin e Strugës.

Në një klimë ku interesat individuale shpesh mbizotërojnë mbi stabilitetin politik, ka vend për dyshim: Ishte ky vërtet një akt parimor, apo një hap strategjik për të përfituar nga pazaret e pushtetit?

Nëse pozita e ambasadorit në Arabinë Saudite (apo ndonjë shteti tjetër arab) është rezultat i kësaj lëvizjeje, atëherë sinqeriteti politik i Sulejmanit vihet seriozisht në pikëpyetje. Në politikën e Maqedonisë së Veriut, shumë figura kanë përdorur parimet si justifikim për lëvizje strategjike, për përfitim personal, por elektorati nuk ka një kujtesë të shkurtër dhe dallimi mes idealizmit dhe oportunizmit bëhet i dukshëm me kalimin e kohës.

Lëvizjet politike të dy a tre individëve pas largimit të Taravarit tregojnë se besnikëria në politikë shpesh është e kushtëzuar nga interesi personal, jo nga parimet. Ndërkohë që disa u shfaqën si kundërshtarë të udhëheqësit të tyre, të njëjtët tani janë shpërblyer me pozita të reja, duke dëshmuar sa e brishtë është retorika e tyre.

Ky fenomen nuk është i ri në politikë, kemi paralajmëruar se historia ka treguar se më e rrezikshme sesa një armik është një aleat i pabesueshëm. Të qëndrosh për parime, e jo për post, është e vështirë, por ka një vlerë që mbetet. Ndërsa ata që tradhtojnë, kalojnë nga një flamur në tjetrin, duke u shndërruar në figurantë të përkohshëm në një teatër pushteti që herët a vonë i nxjerr jashtë loje.

Në fund, loja politike nuk i mban gjatë ata që nuk kanë përkushtim real. Elektorati ka një kujtesë më të fortë sesa ata që llogarisin vetëm interesin afatshkurtër.

p.s.

BDI mund t’ia hedh në ujë tërë këtë përpjekje e investim pushtetit, me huazimin e një deputeti ASH-së, të mjaftueshëm për të krijuar grup parlamentar.

Analizë ekskluzive për Kosova Free Voice Agency- KFVA, nën autorësinë e ekspertit të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut, I. Boletini

Related Posts