Ali Ahmeti uron Ramën për fitoren në zgjedhje: Edi, vijo rrugën drejt pajtimit dhe integrimit!

 

 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar Edi Ramën për fitore në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se nuk kishte mënyrë më të mirë se sa ta shpallësh fitoren e Shqipërisë Europiane nga sheshi i kryeheroit Gjergj Kastrioti Skenderbeu, me pjesëmarrjen e të gjithë krerëve të shteteve europiane në Tiranë.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook i kërkon Ramës të vijoi rrugën drejt pajtimit dhe integrimit sepse thotë se në hasmëri shekullore nuk jetohet.

“Rajonit i duhet pajtim dhe integrim. Mua më ke pas, të ta hap rrugën e të ta ruaj shpinën”, ka shkruar Ahmeti.

Postimi i tij i plotë:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Kryetar i Partisë Socialiste, shumë i dashur Edi,

S’kishte mënyrë më të mirë se sa ta shpallësh fitoren e Shqipërisë Europiane, ashtu siç i ka hije, nga sheshi i kryeheroit tonë kombëtar hijerënde, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, ku edhe u kurorëzove dhe e vulose atë fitore edhe me pjesëmarrjen e të gjithë krerëve të shteteve europiane në Tiranë. Prandaj dhe sot, pasi i përfundove të gjitha sfidat me sukses, vendosa të ta uroj, vëllazërisht nga zemra, fitoren spektakolare dhe plebishitare të zgjedhjeve parlamentare.

U gëzova shumë që pikërisht Ty të ra barra ta shpiesh Shqipërinë në Europë, aty ku na e përcaktuan vendin rilindasit tanë, sepse e di që Ti do t’ia dalësh dhe do ta realizosh, e ne të gjithë do të të mbështesim.

Prandaj, Edi, vijo rrugën drejt pajtimit dhe integrimit sepse në hasmëri shekullore nuk jetohet. Rajonit i duhet pajtim dhe integrim. Mua më ke pas, të ta hap rrugën e të ta ruaj shpinën.

Ishe pranë nesh në çdo hap, edhe kur e bëmë gjuhën shqipe zyrtare, edhe kur u dakorduam për korridorin 8 nga Shkupi në Tiranë që e pranove pa asnjë hamendje, edhe kur e hoqëm kufirin mes nesh, për abetaren e unifikuar, dhe për çdo gjë tjetër në të mirën e përbashkët dhe në funksion të së ardhmes europiane.

Edi, kemi ende shumë punë për të bërë, koha po dëshmon së të arriturat tona duhet mbrojtur sepse po cënohen vrazhdë me tendenca shqetësuese dhe ne nuk do ta lejojmë kthimin pas, por do të punojmë bashkë për të ecur perpara.

Të perqafoj si vëllau vëllain, të uroj shëndet e mbarësi e me mall pres të ritakohemi e ta shtrijmë rrugën tonë të përbashkët europiane.

 

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…