• Fri. Nov 21st, 2025

Tender në dorë, mirëseardhje në parti – rikthimi luksoz i Blerim Kuçit!

May 16, 2025

 

 

Blerim Kuçi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku përmes një njoftimi i uroi mirëseardhje atij. “Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale“, u shpreh Abdixhiku. Por, ky nuk është bashkëpunimi i parë LDK e Kuçi. Disa muaj më parë “Gjini Construction” dhe “Hidroterm” të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, kanë fituar tenderin 18 milionësh të Komunës së Prishtinës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar sot se Blerim Kuçi i është bashkuar kësaj partie.

Abdixhiku shkroi se: Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ai tha se këtij qyteti do t’i japin program lokal si asnjëherë më parë.

“Vizitova Suharekën. Mes punës së madhe për forcim e ribashkim, Blerim Kuqit i urova rikthim në familjen tonë të madhe. Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale. Mes optimizmit të madh e frymës që po na ndërtohet, këtij qytetit do t’i japim dhe ekip dhe program lokal si asnjëherë më parë”, shkroi ai.

Tenderi 18 milionësh, çka e lidh LDK-në me Kuçin?

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë përfshirë në një përplasje të vazhdueshme tash e disa muaj, lidhur me projektin për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Komuna po insiston në realizimin e transformimit urban, ndërsa Ministria po deklaron se integriteti i monumenteve përreth rrezikohet nga ndërtimi i planifikuar i strukturave të reja.

Më 31 janar, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar për dhënien e tenderit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

Njoftimi për dhënie të tenderit ishte publikuar të premten, më 30 janar 2025, ndërsa vlera e këtij tenderi ishte parashikuar të ishte 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi ishte rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”.

“Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k  është kompania “Hidroterm Holding”.

“Hidroterm Holding” është regjistruar në ARBK, më 6 nëntor 2024. Pronarë të saj janë familjarët e ish-kryetarit të Suharekës nga radhët e AAK-së, Blerim Kuçi.

Konkretisht, pronarët janë djali i Blerimit, Genc Kuçi, me 71.97% të aksioneve, vajza e tij, Blerta Kuçi, me 22.73%, dhe dhëndri i Blerimit, Nol Paloka – bashkëshorti i Blertës – me 5.30%.

Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.

Blerim Kuçi nga sot është zyrtarisht pjesë e LDK-së. Ai u rikthehye në politikë pas një pauze disa vjeçare pas largimit nga AAK-ja në vitin 2022./Kosovo Free Voice Agency/