Fatmir Limani shpëtimtari i Qeverisë pa legjitimitet të shqiptarëve

 

 

Në një skenë politike ku moraliteti ka kohë që është zëvendësuar me kalkulime personale, lojtarët e vërtetë nuk janë ata që mbajnë fjalime, por janë ata që tërheqin fijet në prapaskenë.

Në këtë lojë të heshtur të ndikimit dhe korruptimit, një figurë ka dalë në pah: Fatmir Limani, Ministri që më shumë sesa të udhëheqë, po përpiqet të mbulojë kaosin politik të Qeverisë, duke flirtuar me idenë e një shumice më të fortë parlamentare.

Por kjo nuk është strategji, kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur një realitet të hidhur.

Fatmir Limani, me një zë të dridhur, u përpoq të joshte deputetët e Aleancës duke i quajtur më të mirët, më të përgatiturit, një manovër që ai as vetë nuk e besonte. Por ajo që tingëllon më e rëndë është përpjekja për të krijuar narrativën e shitblerjes së deputetëve nga Fronti Evropian, duke pohuar se katër prej tyre kanë kaluar në anën e Qeverisë.

Pse pikërisht tani? Dy arsye kryesore: të tregojë se mbi të gjithë liderët e VLEN-it të përçarë, qëndron Limani, miku i ngushtë i Mickoskit. Ky është një demonstrim lojaliteti, më shumë sesa një akt politik dhe të devijojë vëmendjen nga pasojat e largimit të Taravarit, duke e maskuar këtë dështim si një lëvizje e përllogaritur e Qeverisë, e cila po “riformulon” shumicën.

Mickoski ende beson se ata që kontrollojnë narrativën, kontrollojnë realitetin, por realiteti është një tjetër. Elektorati shqiptar e ka kuptuar lojën dhe nuk po e blen më këtë manipulim të ulët.

Në një vend ku demokracia është më shumë retorikë sesa praktikë, ku kostumet e politikanëve mbulojnë jo përkushtimin, por pazaret, shitblerja e deputetëve është bërë një fenomen normal.

Limani mburret me këtë, por nuk jep asnjë provë për mënyrën se si katër deputetë të Frontit Evropian kanë kaluar në anën e qeverisë. A u shantazhuan? A u korruptuan me para të thata? Apo u ofruan tenderë biznesi? Apo… Pyetjet mbeten të hapura, por një gjë është e qartë: askush nuk po turpërohet nga ky turp politik.

Historia ka treguar se më e rrezikshme sesa një armik është një aleat i pabesueshëm. Politikanët që ndryshojnë flamurin sipas interesit të ditës, që tradhtojnë platformën mbi të cilën janë zgjedhur, nuk janë asgjë më shumë sesa aktorë që luajnë një rol të përkohshëm në teatrin e pushtetit.

Në një kohë kur shteti po shkon drejt greminës dhe zgjedhjeve të parakohshme, kalimi i deputetëve mes partive nuk është më një ngjarje politike, është një simptomë e krizës morale që ka kapluar sistemin.

Fatmir Limani plot kapedanllëk, po bën premtime para gazetarëve, por këto premtime janë si hëna e plotë: shkëlqejnë për një natë dhe pastaj fillojnë të zbehen. Ai që nuk përfaqëson dot as veten e tij, përpiqet të përfaqësojë shqiptarët duke dalë bajrak para Izetit, Bilit dhe Zekës. Por si mund të udhëheqë dikush që nuk ka mbështetjen e popullit që pretendon ta përfaqësojë? Sot të ndjekësh Limanin ngjan me njeriun që i shkon pas mizës, dihet se ku përfundon rruga e saj.

 

Analizë ekskluzive për Kosova Free Voice Agency- KFVA, nën autorësinë e ekspertit të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut, I. Boletini

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…