Tenderë me erë familjare: Emri i vëllait të Bislimit del pas konzorciumit të mbetjeve!

 

 

Vëllai i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi po dyshohet se punonte në kompaninë e babait të aksionarit të konzorciumit i cili e fitoi kontratën për fabrikën e përpunimit të nënprodukteve shtazore. 

Por, ndonëse ishte përmendur nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendëskryeministri Bislimi nuk i ka komentuar dyshimet.

Ai kur është kontaktuar nga Kallxo, e ka mbyllur telefonin.  “Ditën e mirë.”, ka thënë Bislimi.

E vetë ministri Peci kishte folur për përfshirjen e Bislimit në dhënien e kontratës.

“Me këtë temë, me procesin e integrimeve evropiane, si zëvendëskryeministër i parë merret Besnik Buislimi, Më ka ftu dy herë në zyrë për këtë temë.”, thotë Peci.

E veç thirrjes telefonike, Bislimi ka ikur nga gazetarët edhe kur është takuar duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë.

Ai ka refuzuar të përgjigjet se cilat kanë qenë arsyet që e ka ftuar ministrin Peci në zyrën e tij lidhur me këtë fabrikë.

Bislimi ka refuzuar të përgjigjet se a e njeh familjen Maloku.

Por, Peci e ka konfirmuar interesimin e Bislimit rreth fabrikës.

“Unë jam kthy në ministri e kam transmetu shqetësimin e zëvendëskryeministrit për nevojën për funksionalizimin e kësaj fabrike.”, ka thënë Peci.

E pas shumë tentimeve Bisilimi i ka mohuar përfshirjen e tij dhe familjarëve.

“O kurrgjë s’kemi o njeri a po merr vesh? Mos u merr se s’ka kurrfarë lidhje më atë. Unë po ta hjeki atë kurrfarë lidhje nuk ka. Ama bash kurrgjë hiç.”, ka thënë ai.

Por të kundërtën e thotë ministri Peci. Ai i tha se Bislimi i ka thënë se nuk ka rëndësi as kostoja financiare.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk është e rëndësishme sa ka me pas kosto financiare.”, tha Peci.

Sipas një hulumtimi të Kallxo, kontrata për dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore u nënshkrua nga ministri Faton Peci pas një vendimi që Qeveria e Kosovës e mori në janar të vitit 2025. Kontrata ishte dhënë për kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K.

Hulumtimi zbardhë edhe të kaluarën e familjarëve të njërit prej aksionarëve nga Kosova i cili ishte i përfshirë në ‘aferën Brezovica’. Detaje për akuzën dhe lidhjet e kësaj familje me dyshimet për mitdhënje për ish-kryetarin e Shtërpcës, Branisllav Nikoliq.

Historia e kontratës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte publikuar dy njoftime, më 19.07.2024 dhe më 18.09.2024, në të cilat kërkonte palët e interesuara të aplikojnë për kontarën për funksionalizmin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Pesë ditë pasi ishte publikuar thirrja e dytë publike në ueb-faqe të AUV, kompania “LIP KS & IT” SH.P.K. ishte regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Dosja e regjistrimit zbulon që fillimisht themelues të kësaj kompanie kishin qenë tre aksionarë, Naser Maloku, si drejtor menaxhues dhe dy kompani të tjera, “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi dhe “LIPITALIA 2000” S.P.S. me adresë në Rosta të Italisë.

Sipas të dhënave  pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.

Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.

Vlera e aksioneve të kompanisë “MR & MNE” D.O.O. ishte 30% në kompaninë e regjistruar në Kosovë “LIP KS & IT” ose në vlerë prej 3,000 eurove. Aksioniet ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej në pronësi të kompanisë që kishte fituar kontratën nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas të dhënave publike, kompania “MR & MNE” D.O.O. ka vetëm një punëtor në Podgoricë, ndërsa ka katër punëtorë në “MR & Co doo” në Beograd.

Procesi për dhënin në shfrytëzim të kësaj fabrike kishte filluar më 19.07.2024 nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Pesë muaj më vonë, më 09.01.2025, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të aprovohet dhënia në shfrytëzim e tokës dhe fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Një ditë pas, më 10.01.2025, Faton Peci, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte nënshkruar kontratën me titull “Funksionalizimi objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”.

Fitues i kontratës ishte shpallur “LIP KS & IT” Sh.P.K., të cilës i është dhënë e drejta për operim për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.

Sipas kontratës, kompania obligohet të paguaj një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj.

Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.

“Subvencioni për çdo ton të grumbulluar do të jetë në shumën prej 0.16 cent për kilogram (1 kg)”- thuhet në kontratë. Fabrika për përpunimin e nënprodukteve shtazore kishte nis të ndërtohet nëntë vitë më parë.

  • Shkrime të ngjashme

    Faton Peci emëron nënkryetar të Mitrovicës të dënuarin për vjedhje të votave

    Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë. Vendimi…

    Gjykimi për Banjskën, dy të akuzuar nuk deklarohen sërish- tjetri thotë se nuk është fajtor

    Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues. Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me…