“Defender Evrope 2025”, divizioni i ushtrisë amerikane do të vendoset në Aeroportin e Gjakovës

 

 

Republika e Kosovës do të jetë ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku marrin pjesë 25 mijë ushtarë nga 29 vende të NATO-s. Krejt kjo do të ndodhë në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 2025”, që do të mbahet nga 26 maji deri më 6 qershor.

Malet e Babajt të Bokës do të ushtrohen sërish nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Krah trupave të ushtrisë së Republikës, do të jenë edhe pjesëtarë të ushtrive të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Detaje lidhur me këtë stërvitje të madhe ushtarake ka dhënë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Vendi ynë, duke qenë edhe vend nikoqir i këtij ushtrimi, por edhe pjesëmarrës me rreth 1 mijë trupa në lokacione të ndryshme në regjionin e Ballkanit Perëndimor, veçohet për faktin se këtë vit Kosova është përzgjedhur nga ushtria e SHBA-së si vend ku do të vendoset komanda e Divizionit të 28 të këmbësorisë së ushtrisë amerikane”, tha ai.

Maqedonci thotë se vendosja e këtij divizioni të ushtrisë së SHBA-së në aeroportin e Gjakovës është e një rëndësie të jashtëzakonshme për Kosovën dhe tregon për profesionalizimin e ushtrisë së Republikës.

“Ky divizion, që do të vendoset në aeroportin e Gjakovës, tani pronë e FSK-së, do të drejtojë të gjitha operacionet dhe ushtrimet që do të zhvillohen në Ballkan, përfshirë ato në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari”, tha Maqedonci, për RTK.

Sipas Maqedoncit, gjatë këtyre ushtrimeve, FSK do të zhvillojë operacione sulmuese, operacione mbrojtëse dhe operacione stabiliteti. Ai flet edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë në fushën e mbrojtjes, që pritet të ndodhë në qershor, ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për periudhën 2025-2030.

“Ndërlidhen me ndërveprueshmërinë mes ushtrisë sonë dhe SHBA-së, por edhe me industrinë e Mbrojtjes, ku përmes kësaj marrëveshjeje do të hapim mundësi për bashkinvestime dhe punë të përbashkët me SHBA-të në fushën e industrisë së mbrojtjes”, tha ai.

Ministri në detyrë theksoi se asnjë marrëveshje e Kosovës me asnjë vend nuk ka si qëllim kërcënimin e fqinjëve dhe aktorëve të tjerë, por ndërtimin e një fuqie të aftë për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të vendit.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…