Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

Categories: Lajme, Maqedoni

by kfvanews

Share

 

 

Plot mburrje, Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi shkarkimin e Arben Taravarit nga pozicioni i Ministrit të Shëndetësisë, duke e kaluar atë në opozitë. Njoftimi u bë në një mënyrë të ftohtë, si të ishte një lëvizje e zakonshme politike. Megjithatë, prapa Mickoskit qëndronte Fatmir Limani, një sinjal i heshtur se Qeveria tashmë ka zgjedhur maskotën e shqiptarit në Qeverinë e Mickovskit.

Por realiteti është shumë më kompleks dhe shqetësues. Fatmir Limani, pavarësisht se u vendos si figura e re shqiptare në Qeveri, nuk gëzon mbështetje të vërtetë, madje as brenda fshatit të tij. Ekspozimi i tij si hije e Kryeministrit ngre pikëpyetje mbi manipulimet politike, më shumë sesa përfaqësimin e vërtetë, duke vënë në dyshim angazhimin e Qeverisë për përfshirje reale të shqiptarëve në të.

Por të kthehemi pak tek rrugëtimi politik i Ministrit të shkarkuar.

Arben Taravari, dikur lideri i Aleancës për Shqiptarët, u emërua Ministër i Shëndetësisë në qershor 2024, duke shënuar mandatin e tij të dytë. I pari ishte në 2017. Si neurolog dhe shërbyes publik i përkushtuar, Taravari ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave dhe përfaqësimit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Para postit ministror, ai ka shërbyer si Kryetar i Gostivarit nga 2017 deri në 2024, duke fituar respekt për udhëheqjen e tij politike. Por duke mos harruar se partia VMRO DPMNE ka pas ndikim direkt në zgjedhjet e tij si Kryetar Komune.

Megjithatë, largimi i tij nga qeveria është më shumë sesa një ndryshim administrativ, është një ndryshim politik i rëndësishëm, që pasqyron tensione më të thella brenda Maqedonisë së Veriut.

E vërteta e hidhur pas ndryshimit politik, nuk është thjesht një zëvendësim ministror, por është një lëvizje e kalkuluar, që nxjerr në pah realitetet e fshehura politike në vend. Vendimi i Mickoskit për të zëvendësuar Taravarin duket si një përpjekje për të ruajtur përfaqësimin shqiptar, por në fakt, dobëson ndikimin politik të shqiptarëve brenda Qeverisë dhe atë në masë të madhe.

Vetëm disa muaj më parë, Mickoski u pyet se çfarë do të bënte nëse shqiptarët do të largoheshin nga qeveria. Përgjigja e tij ishte fyese dhe përçmuese: “Nuk më intereson, le të bëjnë çfarë të duan.”

Tani, pas muajsh qeverisjeje, administrata e Mickoskit nuk ka arritur të përmbushë premtimet e saj, veçanërisht sa i përket integrimit Evropian të Maqedonisë së Veriut. Reformat kushtetuese, që do të duhej të hapnin rrugën për anëtarësimin në BE, janë lënë në harresë. Ndërsa keq menaxhimi financiar dhe zhgënjimi politik kanë arritur kulminacionin.

Lëvizja e Taravarit mund të shihet si një sinjalizim për të paralajmëruar gjithashtu për krizën financiare të Qeverisë. Shumë mediume nga vendi raportojnë se brenda më pak se pesë muajsh, janë shpenzuar 500 milionë euro, marrë borxh nga Hungaria, dhe tani qeveria po planifikon një tjetër kredi prej 500 milionë eurosh. Ky menaxhim financiar i papërgjegjshëm ngre shqetësime serioze mbi të ardhmen ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Paratë u harxhuan për rrush dhe kumbulla – pikërisht.

Përveç kësaj, Taravari ka shprehur pakënaqësi me dinamikën politike mes shqiptarëve. Brenda koalicionit VLEN, mosmarrëveshjet për zgjedhjet lokale bënë që partisë së tij t’i ndahen më pak komuna sesa pritej, duke krijuar tensione brenda skenës politike shqiptare.

E në këtë situatë qëndrimi i Mickoskit me fërkimin e duarve, duhet të shihet si një paralajmërim nga historia. Me kalimin e ditëve, Mickoski humb gjithnjë e më shumë besueshmëri mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Qasja e tij ndaj faktorit politik shqiptar fillon të ngjasojë me modele historike që rajoni i njeh shumë mirë. Taktikat politike të përdorura sot kanë ngjashmëri shqetësuese me figura të kaluara, si Slobodan Milosheviç, politikat e të cilit çuan në pasoja të rënda. Nuk duam ti rikujtojmë opinionit, madje as fundin e atyre politikave.

Por në këtë kontekst nuk mundemi e mos të parashtrojmë pyetjen se: çfarë vjen më pas për Taravarin dhe përfaqësimin shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?

Apo më mirë të pyesnim: A është kjo një përpjekje e vërtetë për të siguruar zërin shqiptar, apo një manovër politike për ta dobësuar atë?

Sidoqoftë, nëse qeveria vazhdon të margjinalizojë shqiptarët në mënyrë sistematike, nuk do të jetë vetëm Taravari ai që do të reagojë, por edhe qytetarët shqiptarë, të cilët mund të përbëjnë një valë të re të pakënaqësisë që mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme dhe në të ardhmen e vendit.

 

Ky shkrim është një analizë ekskluzive për gazetën dhe agjencinë e lajmeve KFVA, sjellë nga Maqedonia nga I. Boletini.

Related Posts