As në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryetarin e ri.
Për shkak të mungesës së marrëveshjes politike mes partive, procesi ka mbetur i bllokuar. Kryesuesi i seancës vendosi që mbledhja e radhës të mbahet më 13 maj, duke filluar nga ora 10:00.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se presidentja Vjosa Osmani do të duhej t’i mblidhte përfaqësuesit e partive politike në një tryezë për të gjetur një rrugëdalje nga kriza institucionale.
Krasniqi tha se ajo ka mandat legjitim” për ta bërë këtë.
“Ne s’kemi as kryeministër legjitim, s’kemi as kryetar Kuvendi, e kemi vetëm presidenten që është në mandatin e saj”, tha ai.
“Në këtë krizë, po besoj që presidentja mund të marrë një rol, të paktën ndoshta për ta organizuar atë tryezë që e kemi hamendësuar edhe ne”, tha Krasniqi.
Ai tha se “i takon asaj të vendosë kur”.
“Partia Demokratike e Kosovës, ju e dini që në çfarëdo takimi për zhbllokimin e situatës do të marrë pjesë”, tha Krasniqi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar bllokimin e konstituimit si të pakuptimtë dhe paradoksal.
Duke iu referuar nismës së deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim dërgimin në Kushtetuese të dy vendimeve të ZRRE-së, Kusari-Lila tha se kjo është e papranueshme përderisa Kuvendi ende nuk është funksional.
“Mbledhja e nënshkrimeve me ngrit çështje me ZRRE s’ka kuptim. Është e qartë kjo punë dhe e paraparë me rregullore. Po ZRRE raporton në Komisionin e Kuvendit. Por ne nuk kemi as kryetar e as nënkryetarë të Kuvendit e lëre më komisione. Të kryhet kjo fillimisht nga ata që po mbledhin nënshkrime. Kemi 48 orë tjera. Të hyjmë në proces që e zhbllokon këtë bllokadë të pakuptimtë e pasale”, u shpreh ajo
Kusari-Lila gjithashtu akuzoi deputetët e opozitës së legjislaturës së kaluar se me bojkotimin e seancave konstituive po shkaktojnë shkelje të Kushtetutës.
Deputetja e AAK’së Time Kadrijaj foli para gazetarëve pasi e përfunduan fjalën e tyre Faton Peci dhe Mimoza Kusari- Lila.
Kadrijaj i quajti ata “masha” të VV’së.
“Po më vjen mirë që kësaj radhe qëndruam me u deklaru pas pushtetit. Aq shumë u thirrën në Kushtetutë, e këta janë shkelësit më të mdhenjë të Kushtetutës, vec ekspoloroni sa ligje i kanë miratuar në kuvend që kanë qenë antikushtetuese dhe po më vjen mirë që VV po i përdor këto mashat e veta me u prononcu këto ditë se s’po shoh oponentë puro të VV’së që del e deklarohet, ose dalin prej Alternativës ose prej Guxo, e ata rrijnë në heshtje, komodë”, tha ajo.
Ajo ka thënë se nuk e kanë “obligim” që t’ia sigurojnë votat VV’së për kryeparlamentar.
“Bllokuesi i konstituimi i kuvendit të Kosovës është Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.
Ajo tha se nesër do t’i dërgojë nënshkrimet në Gjykatën Kushtetuese për ngërçin në Kuvend.
“Ne kemi mbledhur nënshkrimet që janë të nevojshme, i kemi 10 nënshkrime. Nesër do ta procedojmë në Gjykatën Kushtetuese. Jemi në përfundim të hartimit, besoj nesër në ora 11:00 do ta dërgojmë në Kushtetuese. I kemi nënshkrimet e nevojshme. Janë të mjaftueshme 10 nënshkrime.”, tha ajo.
“Janë edhe LDK, ne i kemi plotësu por kemi mujt me pasë nënshkrime edhe prej PDK’së”, tha ajo./
