Goditet rrjeti ilegal në Fushë Kosovë – Mbyllen laboratorë, arrestohen pronarët dhe sekuestrohen pajisje!

 

 

Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit policorë të njësisë kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, kanë ndërmarrë sot një operacion hetimor në qytetin e Fushë Kosovës, duke kontrolluar dy laboratorë të analizave biokimike që dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas Policisë, hetimet kanë nisur pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillim të veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar, siç kërkohet me ligj.

Gjatë hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore që kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale në mbështetje të dyshimeve fillestare.

Në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, gjatë kontrollit në terren janë evidentuar një sërë shkeljesh ligjore, të cilat kanë rezultuar me mbylljen e këtyre laboratorëve.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim.

Po ashtu, janë arrestuar dy persona – pronarët e laboratorëve – ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente.

Veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa hetimet mbeten në vazhdim.

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…