Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Lideri i PDK’së, Memli Krasniqi ka thënë se do të shkojë në takimin e thirrur për nesër nga Albin Kurti, shkruan KFVA.

Ai ka thënë se këtë veprim po e bën për t’i zhbllokuar institucionet dhe rikthim të funksionimit të rregullt.

Krasniqi ka kërkuar nga Kurti të reflektojë për gjetjen e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve.

“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”, shkruan ai.

Kreu i VV-së kërkoi takim me liderët e LDK-së dhe PDK-së më 1 maj, me synimin për të diskutuar formimin e institucioneve të reja, pas ngërçit institucional të krijuar si pasojë e dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Takimi është paraparë të mbahet të enjten në orën 08:30.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, u tha mes tjerash në letrën e Kurtit në adresë të LDK-së dhe PDK-së.

Ftesa për takim nga Kurti u refuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Statusi i plotë:

Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.

Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.

Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale.

Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.

Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.

Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.

Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.

Related Posts