Rritet prania policore në Sarajevën Lindore pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun

 

 

Rreth 20 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës Sërpska (RS) u vendosën të enjten, më 24 prill, para qendrës administrative të Qeverisë së këtij entiteti në Sarajevën Lindore, një ditë pasi u pengua hyrja e pjesëtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në atë ndërtesë.

Siç raporton reporteri i Radios Evropa e Lirë (REL), transmeton KFVA.– policët po pengojnë qasjen në ndërtesë, para të cilës ndodhet një grup gazetarësh, ndërkohë që nuk ka konfirmim zyrtar nëse presidenti i RS-së, Millorad Dodik, ndodhet brenda saj.

Protokolli i presidentit të RS-së parashikon që ai të marrë pjesë të enjten në mesditë në hapjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit në Sarajevën Lindore, dhe më pas do të zhvillojë një takim me udhëheqësit e komunave Palle dhe Sokollac.

Policët e MPB-së së RS-së të mërkurën në mbrëmje ua ndaluan hyrjen pjesëtarëve të SIPA-s në ndërtesën e Qendrës Administrative në Sarajevën Lindore, në kohën kur Dodiku po zhvillonte një takim me përfaqësues të Qytetit të Sarajevës Lindore.

Nga SIPA konfirmuan për REL-in se pjesëtarët e kësaj agjencie kishin synuar të vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe se nuk ka pasur përdorim force.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e RS-së, Nenad Stevandiq dhe Radovan Vishkoviq, është i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mes të marsit është lëshuar një fletarrestim qendror ndaj tyre në Bosnje e Hercegovinë, pasi ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Prokurorisë për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore.

Paraprakisht, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës i kishte kërkuar Interpolit ta rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e fletarrestimit të kuq për përfaqësuesit e udhëheqjes së entitetit të RS-së.

Në fund të shkurtit, Dodiku u dënua në shkallën e parë nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Një ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Dodikut, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje antikushtetuese për ndalimin e funksionimit të katër institucioneve shtetërore në RS

  • Shkrime të ngjashme

    Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota

    Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit. Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të…

    Treni përplaset me autobusin në Hamburg, një i vdekur dhe dhjetë të plagosur

    Një përplasje midis një autobusi dhe një treni vrau një person dhe plagosi dhjetë të tjerë në zonën e portit të Hamburgut këtë të premte, tha shërbimi zjarrfikës për AFP. Të gjithë të plagosurit ishin brenda autobusit, përveç burrit që…