Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Gjykata Themelore në Prishtinë- kolegji shqyrtues i gjyqtarëve, ka refuzuar ankesën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për gjobën prej 250 euro, e cila iu shqiptua për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.

Kështu raporton “Betimi për Drejtësi” duke u thirrur në burime brenda Qeverisë.

Gazeta ka kërkuar konfirmim nga Gjykata për këto raportime, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Më 2 prill 2025, kryeministri Kurti tha para gazetarëve se nuk duhet të mërziten kur ai dënohet ndonjëherë. Këtë deklarim, ai e bëri pasi u pyet për gjobën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte urdhëruar Kurtin që të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit më 4 mars 2025, në ora 10:00, në PSRK.

Mirëpo, pikërisht në këtë orë kur ishte planifikuar intervistimi, Kurti shkoi në Gjilan për të vendosur gurthemelin e një çerdheje të re.

Kryeministri ka kërkuar nga Gjykata që të urdhërojë Prokurorinë që ta marrë në intervistim në objektin e Zyrës së Kryeministrit.

Më 19 shkurt, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë që ta urdhërojë Kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.

Kurti nuk i ishte përgjigjur kërkesave të Prokurorisë që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në PSRK. Herën e parë, ai u ftua më 11 dhjetor 2024, ku ishte ftuar të dëshmojë me datë 16 të atij muaji.

Kryeministri kishte ftuar prokurorët që të shkojnë në Kryeministri ta intervistojnë dhe ua kishte propozuar tri orare.

Related Posts