BE: Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën

 

 

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje të shkruar për Radion Evropa e Lirë të premten.

Ajo tha se BE-ja është e gatshme për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian

Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.

Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…