Presidenca pranon letër nga Dehari lidhur me seancën konstituive

 

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, lidhur me ndërprerjen e seancës më 15 prill, që u ndërpre pas më pak se dy orëve nga fillimi i saj.

Në një njoftim për media, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se letra ka mbërritur në Presidencë dhe ekipi ligjor është duke e analizuar atë për t’i propozuar presidentes hapat e mëtejmë.

Nga Presidenca nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e letrës që Dehari i ka dërguar presidentes Osmani, pas ndërprerjes së seancës konstituive, e cila kishte për qëllim të verifikonte mandatet e deputetëve të rinj.

Gjatë seancës, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur gjithashtu deputetë, duhej të kishin dhënë dorëheqjen paraprakisht për t’u betuar si deputetë të legjislaturës së re.

Nga ana tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbrojtën pozitat e tyre duke theksuar se Qeveria është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit të saj katërvjeçar më 23 mars dhe se nuk është e nevojshme një dorëheqje e mëtejshme për këtë proces.

Pas votës kundër, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë dhe tha se do t’i drejtohej presidentes Osmani me një letër për të sqaruar hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren për të vijuar procesin e verifikimit të mandateve dhe fillimin e legjislaturës së nëntë.

  • Shkrime të ngjashme

    Udhëheqësja e opozitës venezueliane ia dhuron Trumpit Nobelin për Paqe

    Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ia ka dhuruar medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqe presidentit Donald Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se kjo ishte një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij…

    Bibiliotekisti merrte pagë pa shkuar në punë, arrestohet edhe Drejtori i shkollës – dyshohet se dëmtuan buxhetin mbi 19 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro, shkruan…