Prokuroria e Hagës iu referua Kosovës si “Kosova dhe Metohija”: Historia e dokumentit që shpërfaqi skandalin e Speciales

 

 

Më 11 nëntor 2022, Sefer Goxhuli, kishte shkuar për t’u intervistuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Megjithatë, intervistimi nuk shkoi krejt siç duhet. Një skandal i paprecedent u zbulua tek së fundmi. Përderisa Goxhuli po intervistohej nga hetuesit e ZPS-së, ai u shtang kur përfaqësuesit e Prokurorisë iu referuan Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.

Ky term që përdoret nga Beogradi zyrtar me gjuhë pezhorative për Kosovën, u vu në përdorim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.

Kjo u vërtetua tek së fundmi me një dokument që duket se ishte tentuar të mbahej sekret.

Goxhuli për këtë ishte ankuar tek Avokati i Popullit në Hagë, dhe aty zbardhen të gjitha detajet.

“Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’ Në ankesë thuhet se përdorimi i këtij termi për t’iu referuar Republikës së Kosovës ishte thellësisht fyes, pasi ky është një term që përdoret nga Serbia kur i referohet Republikës së Kosovës në mënyrë përbuzëse”, thuhet në fillim të ankesës, raporton Nacionale.

“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës. 10. Ankuesi më tej parashtron se ZPS-ja e ushtron veprimtarinë e saj në bazë të legjislacionit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe se objektivi i saj është administrimi i drejtësisë në emër të popullit të Kosovës. Në përfundim të intervistës, ankuesi shprehu shqetësimet e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion dhe pretendon se hasi në mospërfilljen e juristëve të prokurorisë, të cilët dukej se nuk e kuptonin dhe/ose nuk u bëhej vonë për çka kishin thënë”, thuhet në këtë dokument të Avokatit të Popullit.

Madje, në ankesën e Sefer Goxhulit thuhet se ky gabim nuk ishte rastësi, pasi zyrtari ishte duke e lexuar një dokument kur e tha këtë. Pra, ka qenë e shkruar në një letër, që sipas ankuesit, tregon qasjen e Prokurorisë së Hagës.

“Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument kur përdori këtë term”, thuhet më tutje.

Përdorimin e kësaj shprehje skandaloze e kishte pranuar edhe Prokuroria e Specializuar në Hagë. Megjithatë, të njëjtit ishin arsyetuar se ka qenë gabim, dhe ajo fjalë nuk është përdorur asnjëherë më parë.

“ZPS-ja gjithashtu konfirmoi se termi “Kosovo i Metohija” (‘Kosovë dhe Metohi’; ‘Kosovo and Metohija’ në anglishte) ishte përdorur në intervistën me ankuesin dhe pranoi se kjo ishte bërë gabimisht. ZPS-ja deklaroi se ky term nuk është pjesë e praktikës standarde të ZPS-së dhe nuk përdoret as në modelet standarde ose pro forma të dokumenteve që përdor ZPS-ja. ZPS-ja hodhi poshtë pretendimin e ankuesit se punonjësit e saj ishin treguar mospërfillës ndaj ankesës së tij, të cilën ai ua kishte shprehur në përfundim të intervistës”, thuhet në ankesë.

Pavarësisht se edhe vetë Prokuroria e Hagës e pranoi se e kanë përdorur këtë term, kjo nuk i mjaftoi Avokatit të Popullit të Speciales që ta pranojë ankesën e Goxhulit. Ankesa u rrëzua me arsyetimin se gabimi ishte i paqëllimshëm.

“Avokati i Popullit pranon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ ishte fyes për ankuesin. Sidoqoftë, Avokati i Popullit mban parasysh se ky term ishte përdorur në mënyrë të paqëllimshme dhe gabimisht, dhe se ZPS-ja ndërmori disa hapa për të përcaktuar se si kishte ndodhur ky gabim, në mënyrë që të parandalohej përsëritja e tij. Gjithashtu, ZPS-ja mori masa për të siguruar që punonjësit e saj të kishin njohuri të plota për kontekstin e këtij termi. Pasi i shqyrtoi edhe një herë dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, të instrumenteve përkatëse të të drejtave të njeriut, dhe në veçanti KEDNJ-së dhe KNDCP-së, Avokati i Popullit është bindur se ankesa nuk ka arritur të provojë se objekti i ankesës përfshihet në kuadrin e zbatimit të ndonjë prej të drejtave të përmendura”, thuhet më tutje.

Shumë reagime në Kosovë

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se Prokuroria e Hagës ka bërë skandal të madh duke përdorur këtë term.

“Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla! Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me “prova” nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me “dokumente” të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni!”, thuhet në postimin e Bajraktarit.

Reagim të ashpër pati edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami.

“Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk i ka mjaftuar që është shërbyer me dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia! Nuk i ka mjaftuar që aty s’ka flamur, s’ka emblemë, s’ka shenja të shtetit të Kosovës. E paska rikthyer kohën e Millosheviçit, duke ringjallur frazën fashiste, “Kosova dhe Metohija”. Duket se aty punojnë dy lloje të njerëzve: burokratë ndërkombëtarë që udhëhiqen nga mendësia e Serbisë dhe, ndoshta, zyrtarë të shtetit serb të punësuar si burokratë!”, shkroi ai.

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…