BE’ja do të vendosë tarifa ndaj duhanit dhe elektronikës nga ShBA-ja

 

Liderët e Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj një sërë importesh nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë çelikun, rrobat dhe ushqimet, por jo edh ndaj uiskit burboni, apo pijeve të tjera alkoolike.

Ky veprim vjen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa ndaj importeve nga BE-ja.

Liderët e bllokut do të mblidhen në Bruksel më 9 prill, ku do të votojnë për një paketë tarifash të përshkruar në një dokument që e ka parë Radio Evropa e Lirë, e cila parasheh vendosjen e tarifave në disa faza.

Kjo do t’i japë kohë zhvillimit të negociatave. Zyrtarët e BE-së kanë deklaruar se opsioni i tyre i preferuar është një marrëveshje tregtare me Uashingtonin që heq barrierat tregtare, e jo që i shton ato.

Propozimet e BE-së përfshijnë katër faza tarifash.

Faza e parë, që hyn në fuqi më 15 prill, përfshin një tarifë shtesë prej 25 për qind ndaj perimeve, drithërave, duhanit, disa automjeteve dhe elektronikës. Po ashtu, mund të ketë një tarifë prej 10 për qind ndaj lodrave dhe lojërave.

Faza e dytë është paraparë për 16 maj. Ajo përfshin tarifa ndaj më shumë llojeve të automjeteve, hekurit dhe çelikut të përdorur në ndërtimtari, kafshëve të gjalla dhe mishit, pijeve joalkoolike dhe veprave të artit.

Së fundi, është paraparë vendosja e tarifave ndaj arrave dhe sojës që nga dhjetori.

“Masa kanë të bëjnë me importet e produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, nga të cilat Bashkimi nuk varet në mënyrë thelbësore për furnizim”, thuhet në dokument.

 

Dokumenti shton se kjo duhet të “shmangë sa më shumë që të jetë e mundur ndikimin negativ tek aktorët e ndryshëm të tregut të BE-së, përfshirë konsumatorët”.

 

Planet shmangin disa çështje të ndjeshme. Liderët e BE-së kanë shprehur qëndrime të ndryshme kohët e fundit për çështjen nëse, për shembull, të përjashtohet burboni dhe vera. Franca dhe Italia, të cilat janë të interesuara të shmangin kundërmasa nga SHBA-ja për eksportet e tyre të verës, duket se e kanë fituar këtë betejë.

Trump kishte kërcënuar me një tarifë prej 200 për qind ndaj pijeve alkoolike evropiane nëse burboni do të prekej nga tarifat.

Po ashtu, nga planet e Brukselit janë përjashtuar artikujt nga të cilët BE-ja varet, si avionët dhe pjesët e tyre, gjysmëpërçuesit dhe karburantet.

Vendimi për të mos vendosur tarifa ndaj produkteve farmaceutike përputhet me qasjen e SHBA-së. Megjithatë, Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa të ndara për këtë sektor.

Uashingtoni tashmë ka vendosur një sërë tarifash ndaj importeve nga BE-ja.

Fillimisht, u shpall një tarifë prej 25 për qind ndaj çelikut, aluminit dhe makinave. Nga 9 prilli, do të ketë gjithashtu tarifa prej 20 për qind ndaj pothuajse çdo gjëje tjetër.

Dokumenti i BE-së thekson se tarifat e SHBA-së “mund të kenë një ndikim ekonomik negativ të konsiderueshëm në industrinë përkatëse të Bashkimit”.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…