Përgatitjet për seancën konstituive, të martën Konjufca takon kryetarët e partive

 

 

Nesër, më 8 prill, ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca do të mbajë një mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive politike.

Ky takim ishte konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net të enjten e kaluar, nga shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli, i cili tha se kjo mbledhja do të mbahet në ora 12:00. Kërçeli deklaroi se kjo mbledhje do të mbahet për organizimin e seancës konstituive, më 15 prill.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin, si datë për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë kësaj seance zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.

Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.

Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, siç përcaktohet në nenin 67 të Kushtetutës. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.

Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.

Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.

Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.

Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…