Me një komunë të vetme e të vogël si Malisheva si rezervuar të mbështetjes për vete, Fatmir Limaj i NISMA-s nxori tre deputetë – tre deputetë të cilët njëjtësojnë matematikën në të dy anët: në numrin e partive ish-opozitare (49) dhe atë të ish-pushtetit (48) për të ndërtuar qeveri eventuale.
Para mëse dy muajsh një paraqitje e Limajt në “Debat Plus” do të ndërronte çdo paramendim të mirëqenë për parti ‘fikse’ ish-opozitare ose edhe aso pastërtisht ish-pushtetare.
“Unë ulem me të gjithë, kush t’më fton – për interesa nacionale”, ishin fjalët e Limajt që prodhuan pafund debat, dhe u panë si qëndrimi edhe/edhe.
Tash e dy muaj Limaj është mbyllur hermetikisht për publikun.
Me ç’kishte marrë vesh Nacionale, Fatmir Limaj, topin e kishte lënë në oborr të ish-partive opozitare për të ndërtuar shumicë në rastin e eventualitetit të dështimit të Albin Kurtit deri në seancën konstitutive – por, se përndryshe, atëheri ia voton qeverinë edhe atij.
Me ç’duket gjërat po peshojnë në këtë anën e fundit.
Limaj u raportua për dy takime me Albin Kurtin që s’i ka demantuar askush gjer më tash – një të premten dhe një të shtunën.
Raportime të pakonfirmuara thonë se Limaj mund të jetë duke kërkuar postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës si çip për votat e partisë së vet për partinë në pushtet.
Zyrtarë të NISMA-s janë shprehur ambivalent, duke thënë se thjesht “preferojnë” bashkëpunim me partitë ish-opozitare, duke nënkuptuar që në dështimin e këtij opsioni s’përjashtojnë hyrjen me Vetëvendosjen.
Akterë televizivl të Vetëvendosjes, në anën tjetër, veçse shprehen se “koalicioni me (Limajn) është punë e kryer”.
Më 8 prill mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit për parapërgatitje të seancës konstitutive për Kuvendin e Kosovës, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve, zgjedhja e Kuvendit të Kosovës, dhe rrjedhja për mandatarin për formimin e qeverisë.
Partitë ish-opozitare, në anën tjetër, janë zënë në ngërçe me qëndrime (para)elektorale.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës për “qëndrim bllokues” ndaj një koalicioni mbarë-opozitar.
Memli Krasniqi i PDK-së tha se po qe se LDK-ja jepet për këtë opsion, me dështimin e Kurtit për të ndërtuar shumicë, ata bëjnë qeveri për 48 orë.
…Ka përgjegjësi dhe adresë…[LDK-ja].
Hartë ku të kërkohet faji nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, i nominuari i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, e jep partinë e tretë për nga rezultati zgjedhor: për të cilin pati ftesë, dhe porosi në tingëllim vërejtjeje.
Hamza në “Debat Plus” foli se PDK-ja “nuk mbyll udhë” duke e dhënë për dallim qëndrimin e partisë së vet karshi llogores së qëndrimeve paralektorale të LDK-së se nuk hynë në qeveri pa e marrë postin e kryeministrit.
Vështrim krejt tjetër nga Lumir Abdixhiku – i cili njëkohësisht po ipte intevistë në “Rubkon” të Klan Kosovës – artikuloi gjerë e gjatë Hamza.
Në një moment: Hamza u duk t’i çojë porosi Abdixhikut, për të cilin tash e një muaj ka ftesë për të biseduar në skenarin e pamundësisë së Vetëvendosjes për të krijuar shumicë parlamentare dhe ndërtuar qeveri; rrjedhimisht në kalimin e mandatarit te partia e dytë.
“Nëse kjo nuk funksionon (atëherë) vjen te situata e tretë, që nuk është e mirë për vendin, jo e shëndetshme: zgjedhjet (e reja). Por, kur shkohet në zgjedhje ka përgjegjësi edhe adresë kush ka kontribu që vendi me shku në zgjedhje, që vendi mos m’e pas institucioneve, që me pas vakum institucional, mu prolongu çështjet”, tha Hamza.