Rreshteri Lika s’kishte të veshur antiplumb kur ndodhi rasti mbrëmë në Kaçanik

 

 

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini në konferencën për media për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika mbrëmë në Kaçanik, tha se deri tani s’ka të arrestuar, por dyshohet se dy persona e kanë kryer aktin, shkruan KFVA.

Ai tha se rreshteri Lika u qëllua nga një plumb tejshpues, dhe se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja 9.19 milimetër, dhe se arma që është përdorur s’është gjetur në vendin e ngjarjes.

“E di që kanë rrjedhë informata dhe dyshime për arrestimin e personave të ndryshëm, për dyshimin se kush mund ta ketë kryer veprën, mund të ju them me siguri të plotë se deri më tani nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale. Deri në këtë moment nuk dimë arsyen, apo edhe motivin që ka çuar deri në këtë rast makabër.

Nga provat që janë mbledhë shihen dy persona që kanë ikur nga vendi i ngjarjes, nga ajo që shihet kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar më vonë ndonjë veturë apo mjet tjetër për të ikur”, tha Çerkini në konferencë.

Rreshteri tashmë i vrarë s’kishte përdorur armën, deklaroi kështu Kryeprokurori Burim Çerkini.

Ai gjithashtu tha të dyshuarit nuk kanë qenë të maskuar, por veçse kanë pasur kapele në kokë, por jo të tilla për të mbulur fytyrën.

“Rreshteri Lika është njohur si shumë profesional dhe nuk kemi as më të voglin indikacion që gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasë ndonjë problem as si zyrtar policor dhe as personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes. E kemi ende të padefinuar shkakun apo motivin. Është përdorë armë e zjarrit, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja 9.19 milimetra. Nuk është hasur arma e dorasëve në vendin e ngjarjes. Është gjetur arma e zyrtarit policor, si dhe pjesë e municionit të personit zyrtar. Tipi i armës të të dyshuarve nuk dihet. Kalibrin 9.19 milimetra e shfrytëzojnë për disa armë, kështu që nuk mund të japim detaje për kalibrin”, tha ai.

Çerkini theksoi se cak i të dyshuarve ka qenë ekzekutimi i policit Lika, dhe se nuk ekziston pista e grabitjes siç u raportua sot gjatë ditës.

“Nga të dhënat nuk na rezulton që ka pasur shkrepje me armë nga arma zyrtare e zyrtarit policor. Duken persona të ri, por nuk kemi arritur identifikimin apo njohjen e tyre që të mund ta dimë për kë bëhet fjalë. Nuk kanë përdorë maska, kanë përdorë kapela por jo kapela për mbulim e fytyrës.

“Nuk ka të bëjë me pistën e grabitjes. I ndjeri ka qenë duke u kthy nga puna dhe ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij. Nuk ekziston ndonjë pistë që të dyshuarit kanë pasë për qëllim grabitjen. Shihet qartë se qëllimi i tyre ka qenë ekzekutimi apo kryerja e vrasjes së rëndë.

“Viktima ka marrë vetëm një goditje, ka qenë tejshpuese. Ai nuk ka pasur antiplumb”, tha Çerkini në konferencë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…