Irani kërcënon me sulme ndaj bazave amerikane, nëse ShBA-ja e sulmon

Irani do të godiste baza amerikane në rajon, nëse Shtetet e bashkuara e kontretizojnë paralajmërimin për pasoja ushtarake për Teheranin në rast se nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore, tha të premten kryetari i Kuvendit të Iranit, Mohammad Qalibaf.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më herët këtë muaj se i kishte dërguar një letër liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke paralajmëruar se “janë dy mënyra se si mund të trajtohet Irani: ushtarakisht, ose ju bëni një marrëveshje”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse amerikanët e sulmojnë shenjtërinë e Iranit, tërë rajoni do të hidhet në erë si një shkëndijë në një deponi municioni” – paralajmëroi kryeparlamentari iranian.

“Bazat e tyre dhe ato të aleatëve të tyre nuk do të jenë të sigurta” – tha Qalibafi në një fjalim me rastin e Ditës së Al-Kudsit, që e shënon të premten e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Khamenei e ka cilësuar si mashtruese porosinë e presidentit amerikan, ndërsa kryediplomati iranian, Abbas Araqchi, tha të enjten se bisedimet janë të pamundshme, nëse Uashingtoni nuk e ndryshon politikën e tij të “presionit maksimal”. Ministri i Jashtëm tha se Irani e ka analizuar tërësisht letrën e Trumpit dhe i ka dërguar atij një “përgjigje të duhur” përmes Omanit.

Të premten, Araqchi citohet nga mediat shtetërore të ketë thënë se, ndonëse letra e Trumpit përmbante kërcënime, ajo gjithashtu e la të hapur derën ndaj diplomacisë. Ministri iranian nuk dha hollësi të mëtejme.

Në mandatin e tij të parë si president në periudhën 2017 – 2021, Trumpi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje e vitit 2015 mes Iranit e fuqive botërore, me të cilën u ishin vendosur kufizime të ashpra aktiviteteve bërthamore të kontestuara të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Më pas, Irani e shkeli marrëveshjen duke i tejkaluar kufizimet në pasurimin e uraniumit, sidomos pasi Trumpi rivendosi sanksione të gjera kundër Teheranit.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…