Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare në vlerë prej 25 milionë eurosh nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit.
Rama ka njoftuar se Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën edhe jashtë orarit të rregullt, me qëllim që procesimi i pagesave të bëhet sa më shpejt.
“Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt”, ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar se pritet që së shpejti të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh, ndërsa ka falënderuar qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin.
Pak më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë alokuar 2.7 milionë euro për pagesën e operatorëve të transportit publik në Prishtinë, sipas vendimit të Kuvendit Komunal, shkruan Reporteri.net.
Ai bëri të ditur se verifikimi i ligjshmërisë nga MAPL dhe MFPT është kryer dje “në afat rekord”.
Murati theksoi se procedurat nuk kanë mundur të kryhen më herët për shkak të ditëve jo-punë.
“Tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 2.7 milionë euro, e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake. Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot.
