• 2 Dhjetor 2025 11:22

Cilat shtete evropiane shpenzuan më së shumti në mbrojtje?

Dhj 2, 2025

Shtetet e Bashkimit Evropian kanë shpenzuar 343.2 miliardë euro në mbrojtje në vitin 2024. Vetëm Gjermania dhe Franca kanë shpenzuar 44 për qind të kësaj shume.

Shpenzimet e mbrojtjes në BE janë rritur dukshëm me rritjen e kërcënimeve globale. Shpenzimet gati janë dyfishuar në pesë vjetët e fundit. Agjencia Evropiane e Mbrojtjes (EDA) ka parashikuar se kjo shumë do të mbërrijë më 392 miliardë euro më 2025. Në vitin 2020, shpenzimet ishin 198 miliardë, duke e bërë dallimin 98 për qind në terma nominalë.

Sipas të dhënave, Gjermania u prin shpenzimeve. Vetëm më 2024, ky shtet ka shpenzuar 90.6 miliardë euro. Franca është e dyta me 59.6 miliardë euro, transmeton KFVA.

Italia është e treta me 32.7 miliardë euro e ndjekur nga Polonia me 31.9 miliardë euro. Spanja është e pesta me 22.7 miliardë euro. Më herët gjatë vitit, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me përjashtimin e Spanjës nga NATO-ja nëse refuzon të shpenzojë deri 5 për qind të Bruto Produktit Vendor për mbrojtje.

Ndërkaq sa i përket shpenzimeve për kokë banori më 2024 në BE për mbrojtje prin Danimarka me 1540 euro, e ndjekur nga Holanda, Finlanda, Suedia e Gjermania.