• 2 Dhjetor 2025 11:07

Spiropali thumbon Kurtin duke përmendur Rugovën: Nuk denigronte kundërshtarët

Dhj 2, 2025

Në ditën e lindjes së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, ministrja e Punëve të Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali i ka kushtuar një shkrim atij.

Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se Rugova ishe një politikan që nuk ngjante me askënd.

“Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, ka shkruar ajo.

Ajo shtoi se Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.

“Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdije atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”, ka shkruar ministrja.

“Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi”.