• 2 Dhjetor 2025 09:38

Prishtina edhe sot pa autobusë, vazhdon protesta e transportuesve publik

Dhj 2, 2025

Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt.

“Protesta vazhdon dhe sot edhe tutje deri në alokimin e mjeteve borxh që detyrohet Komuna të lshyjë borxhet ndaj ‘Trafikut urban’ dhe operatorëve privatë. Deri në këto momente, vendimi që është marrë ditën e enjte për bartjen e të hyrave vetjake për vitin 2024 në vitin 2025 që arrin vlera e asaj shume 28 milionë është dërguar nga Komuna te Ministria e Financave. Po presim nga Ministria e Financave për të kthyer këtë vendim me pozitivitet për ne gjë që i alokon ato mjete që është ai vendim. Komuna i detyrohet Trafikut Urban 2.4 milionë borxh. Shpresojmë që sot ose nesër mos po reflektojnë. Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, gjysmë ore na duhet kohë për tu kthyer në normalitet. Sa të realizohet bartja ne fillojmë punën. Qytetarëve u kërkojmë falje. S’është bërë kjo me dashjen tonë, na është imponuar”, tha ai ditën e djeshme.