Në New York, Burim Havolli, 41 vjeç, mbikëqyrës i një ndërtese 8-katëshe, humbi jetën pas një përleshjeje me një person të dyshuar për vjedhje paketash.
Sipas televizionit lokal News12, ngjarja ndodhi më 12 nëntor, rreth orës 08:00 të mëngjesit, në adresën 1199 Ocean Avenue, pranë Glenwood Road.
Policia e NYPD-së dhe dëshmitarët thonë se Havolli e kapi në flagrancë një 30-vjeçar që po vidhte pako në hyrje të ndërtesës. Përballja verbale u shndërrua shpejt në konflikt fizik, gjatë të cilit hajduti dyshohet se e goditi disa herë në kokë me celularin e tij. Pavarësisht goditjeve, Havolli arriti ta mbante të ndaluar derisa mbërriti policia, e cila e arrestoi të dyshuarin.
Gazetari i News12 në vendngjarje raportoi se fillimisht Havolli nuk kërkoi ndihmë mjekësore, por u rikthye në apartamentin e tij në katin e dytë. Aty ai nisi të vjellë dhe më pas humbi ndjenjat para syve të bashkëshortes. U dërgua me urgjencë në spitalin Kings County Hospital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda në kokë.
“Kjo është e pabesueshme. Është një dhimbje e madhe. Ai la pas tre fëmijë shumë të vegjël, 1 deri në 4 vjeç. Nuk po e besoj që s’është më”, u shpreh kushëriri i tij, Petrit Havolli, për mediat amerikane.
Shtypi lokal raporton se Burim Havolli punonte prej më shumë se 15 vitesh si mbikëqyrës në këtë ndërtesë. Banorët e kujtojnë si njeri të sjellshëm, punëtor dhe gjithmonë të gatshëm për t’i ndihmuar.
Policia deklaroi se Havolli kishte paralajmëruar disa herë për vjedhjet e shpeshta të pakove në zonë, një problem që ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për komunitetin dhe ndërtesën ku ai punonte.
I dyshuari, një 30-vjeçar, po mbahet nga policia për marrje në pyetje. Hetimet janë ende në vazhdim dhe deri tani nuk janë ngritur akuza zyrtare. Sipas NYPD-së, mjekësia ligjore do të përcaktojë nëse bëhet fjalë për vrasje.
Ndryshe, familja Havolli ka bërë të ditur se i ndjeri do të varroset në Kosovë./KFVA./
