Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një reagim në profilin e tij zyrtar ka thënë se dëshmia e ish-ambasadorit Christopher Hill në Gjykatë Speciale ka dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Ahmeti ka thënë se edhe Hill ka konfirmuar se vetëm Sllobodan Millosheviq kishte deklaruar se UÇK është kriminale dhe askush tjetër.
Ai ka thënë se një deklaratë e tillë e Hill vërteton se krerët e UÇK-së po gjykohen me akuzë të sajuar nga Beogradi e të porositur nga Moska.
Sipas tij, pas dëshmisë së Wesley Clark, do të mbetet vetëm lirimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Postimi i plotë:
Dëshmia amerikane në Hagë dëshmon dlirësinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë.
Edhe Ambasadori Kristofer Hill, njohës i shkëlqyer i rajonit, gjatë dëshmisë së kësaj jave në Hagë konfirmoi që vetëm kryekrimineli Sllobodan Millosheviq e konsideronte UÇK- në si kriminele dhe askush tjetër.
Kjo vërteton edhe deklaratat tona se çlirimtarët tanë po gjykohen me akuzë të sajuar në Beograd me porosi nga Moska.
Pas këtyre konfirmimeve nga autoritetet e larta amerikane dhe pas asaj që do të prezentohet javën që vjen nga Gjenerali Vesli Kllark, mbetet vetëm vendimi përfundimtar meritor, liri për çlirimtarët!
