• Fri. Nov 14th, 2025

Hajdari e cilëson aktakuzën politike: Valdet Gashi dhe Blerim Isufaj po më ndjekin mua për ta luftuar Qeverinë

Nov 14, 2025

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka folur mbi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj saj dhe tre të tjerëve lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.

Hajdari e ka cilësuar aktakuzën si politike, teksa ka thënë se akuzat ndaj saj nuk qëndrojnë.

Ajo tha se po e ndjekin për ta luftuar Qeverinë Kurti, shkruan KFVA.

“Prokuroria vendos të më ndjek mua politikisht për të luftuar Qeverinë, e cila atë dhe shefin e tij, Blerim Isufajn nuk lejoi të avancohen në pozita ku do të vazhdonin të vepronin në dëm të shtetit e për interesa të ndryshme, duke mos anashkaluar ato të Serbisë, si në rastin kur kanë anuluar urdhër-arrestin ndaj Milan Radojçiq. ”, ka thënë Hajdari.

Për dy prokurorët e rastit, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, Hajdari tha se nuk e kanë fituar kurrë asnjë rast në gjykatë.

Hajdari tha se do të luftojë deri në fund për të dëshmuar “pafajësinë e plotë”.

“Do të luftoj deri në fund ta dëshmojë pafajësinë time të plotë në këtë rast”, tha Hajdari.

Ajo ka thënë se kjo Prokuroria Speciale ka rrezikuar fshehtësinë shtetërore. Sipas Hajdarit, Prokuroria i ka mbledhur provat në mënyrë të jashtëligjshme, meqë siç tha asnjë nga hetuesit nuk ka pasur certifikatë të sigurisë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të hënën ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.