• Fri. Nov 14th, 2025

137 milionë euro në pyetje, KEK i cakton tri kompani në garë për tenderin e madh

Nov 14, 2025

Procesi gjigant i prokurimit për rehabilitimin e Njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”, një projekt me vlerë rreth 137 milionë euro, po shoqërohet me transparencës të përgjysmuar. Nga pesë konsorciume që kanë dorëzuar aplikacionet, KEK ka eliminuar dy prej tyre në fazën e parë, duke lënë në garë vetëm tre konkurrues por pa publikuar arsyetimin ligjor të eliminimit, siç kërkohet me Ligjin për Prokurimin Publik.

Mësohet se kompania e parapëlqyer për KEK mund të jetë LIMAK İnşaat Sanayi ve Ticaret A.Ş. Pra, bëhet fjalë për kompaninë që ka në pronësi KEDS-in dhe KESCO-n, shkruan KFVA.

Më 11 nëntor 2025, KEK publikoi në e-prokurim njoftimin për rezultatet e fazës së parë të kualifikimit. Në listën e publikuar figurojnë vetëm tre operatorë të kualifikuar:

KEPCO Plant Service & Engineering – DYPNF – BHI (Koreja e Jugut)

HIB Petrol – Florian Viqa – NTPC Limited

LIMAK İnşaat Sanayi ve Ticaret A.Ş.

Ndërkaq dy aplikuesit tjerë ndër ta edhe konsorciumi i fuqishëm SBB Energy – Intering – EthosEnergy, si dhe Golden Concord Group (GCL)  janë eliminuar, por KEK nuk ka ngarkuar në platformën e-prokurimit raportin e vlerësimit, arsyetimin e skualifikimit apo kriteret që i kanë përmbushur/mos-përmbushur operatorët.

Raportet e arsyetimit janë dokumente të detyrueshme për publikim sipas nenit 66 të LPP-së.

Kjo e bën të pamundur që publiku të dijë:

Cilat kritere teknike kanë qenë vendimtare? A ka pasur mospërputhje, mungesë dokumentesh apo vlerësim subjektiv?
A janë eliminuar kompanitë më të fuqishme për të lënë në garë tre të “pëlqyerit”? Si mbetën vetëm tre?

Procesi i gjatë dhe shtyrjet e afateve

Sipas dokumentacionit zyrtar, procesi ka kaluar disa faza problematike:

Publikuar më 23.01.2025

Afati është shtyrë katër herë, deri më 04.07.2025

Një operator ka bërë kërkesë për rishqyrtim (27.06.2025) – refuzuar

I njëjti operator ka paraqitur ankesë në OSHP – hedhur poshtë më 10.07.2025

Afati final: 17.07.2025, me pesë aplikacione të pranuara

Më pas KEK eliminon dy prej tyre pa arsyetim publik

Cilat janë kompanitë në garë dhe ato qe u eliminuan

Në garën për rehabilitimin e Njësisë A3 kanë qenë pesë kompani dhe konsorciume, nga superfuqia energjetike indiane NTPC, deri te firmat që kanë kontrata milionëshe me KEK-un, shkruan Demokracia.com.

Kompanitë që kanë ofertuar janë:

“SBB Energy S.A; Intering SH.PK; EthosEnergy” – eleminuar
“LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S” – kaluar
“GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED” – eleminuar
“KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD; DYPNF Co., Ltd; BHI CO, Ltd” – kaluar
“HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited” – kalaur.