• Fri. Nov 14th, 2025

Muhaxheri: LDK s’ka votë për Konjufcën – edhe për Kurtin kanë thënë se i kanë 61 vota, por në fund e lëshuan bajrakun

Nov 14, 2025

Nënkryetari i LDK’së, Gazmend Muhaxheri, e ka bërë të qartë se kjo parti nuk ka vota për Glauk Konjufcën, të mandatuarin e dytë nga VV për formimin e Qeverisë.

Mandatimin e tij, Muhaxheri e ka cilësuar si përpjekje për të blerë kohë, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se që nga fillimi është dashur të shkohet në zgjedhje.

“LDK-ja është unike në këtë drejtim. Unë po e shoh që LVV-ja i ka marrë edhe 10-15 ditë kohë për ta provuar nëse mund ta formojnë Qeverinë. Por, është dashur në fillim të shkojmë në zgjedhje dhe të kryhet kjo punë. Kjo është përpjekje për të blerë kohë dhe me bë drama. Dita D vjen e shohim a i kanë votat. Por, deri tash gjithë kohës kanë thënë edhe për Albin Kurtin se i kanë 61 vota, por në fund e lëshuan bajrakun’’, tha Muhaxhiri.

Konjufca është mandatuar nga Presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë, më 4 nëntor, pas dështimit të Kurtit. Ai ka afat deri të mërkurën për t’i siguruar numrat.

Osmani ka deklaruar se VV dhe Konjufca kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, teksa tha se edhe ajo është bindur se i kanë gjasat për formimin e Qeverisë.

Kurti i pyetur nëse i kanë 61 vota për Konjufcën, ka deklaruar se 56 vota i ka të sigurta, por se sa vota janë saktësisht, mund të merret vesh tek në seancë plenare. Për Qeverinë e re, janë të nevojshme 61 vota.

“Glauk Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë… Ato 56 sigurt i ka edhe Glauku, ndoshta edhe merr ndonjë më shumë, ma pak s’mund të marrë. Është e pafalshme të mos tentohet…Le të përpiqemi maksimalisht që ta formojmë një Qeveri e të ecim përpara”, ka deklaruar Kurti.