• Fri. Nov 14th, 2025

Gjykata dënon me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e para një viti në Gjilan, tjetrin me 8 vjet burg për ndihmë

Nov 14, 2025

Gjykata Themelore e Gjilanit e ka dënuar me 25 vjet burgim Valmir Salihun, lidhur me vrasjen e një 37-vjeçari para një viti, shkruan KFVA.

Në njoftimin e gjykatës bëhet me ditur se i njëjti vrasjen e kishte kryer me dashje e një shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve.

Aty përshkruhet në detaje si kishte ndodhur rasti.

“… në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “Donisi”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa I ndjeri S. O. ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Florian Mitev është dënuar për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës.

“edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi I spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij”.

Ai është dënuar me 8 vjet burgim.

“Gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve V. S. dhe F. M., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.