• Fri. Nov 14th, 2025

Aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe të tjerëve – Albin Kurti i heshtur, asnjë reagim

Nov 14, 2025

Tre ditë më parë, Prokuroria Speciale i ngriti aktakuzë ministres në detyrë për Tregti dhe Industri, Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, për skandalin me rezervat shtetërore.

Pas aktakuzës, kishte reaguar Hajdari me anë të një postimi në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.”, kishte shkruar Hajdari.

Tash e tre ditë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka bërë asnjë reagim.

Në lidhje me këtë rast, Kurti është ftuar nga Prokuroria si dëshmitar, por ai ka refuzuar të shkoj.

Kurti ka kërkuar që dëshminë e tij ta jap nga Zyra e Kryeministrit dhe jo në objektin e Prokurorisë Speciale.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës për të kuptuar nëse është dërguar ndonjë ftesë e re për dëshmi, por që deri në këtë moment nuk kemi marr ndonjë përgjigje.

Në mbështetje të Rozeta Hajdarit, nga VV ka dal ish-ministrja, tash nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se aktakuza është e motivuar politikisht.

“Kaherë kemi theksuar se hetimet ndaj Ministres Hajdari janë të ndikuara, dhe ngritja e aktakuzës ndaj saj e vërteton këtë. Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik. Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara, të cilat kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike.”, tha Haxhiu.

Postimin e Rozeta Hajdarit e ka bërë “share” zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.