Janë bërë publike pamjet e atentatit të ndodhur në Rinas të mërkurën, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur miku i tij, Mustafa Sheqeri (Shaljani).
Në pamje shihet sesi ekzekutori i afrohet makinës ku po udhëtonin Dani dhe Sheqeri dhe hap zjarr ndaj tyre, ndërsa më pas dëgjohet edhe një breshëri automatiku drejt makinës.
Nga pamjet shihet edhe se si autorët largohen me makinën tip Toyota pasi kanë kryer atentatin, në drejtim të Fushë-Krujës. Gjatë natës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë kryer një operacion të madh kërkimi në atë zonë.
Sipas burimeve, 5 grupe të FNSH kanë qëndruar nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit në zonë, duke kryer kontrolle në lokale e banesa, si dhe duke ndaluar automjete të shumta për kontrolle.
Gazeta mëson gjithashtu se janë shoqëruar disa persona.
Ndërkohë, mësohet se Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Gazeta mëson se Sheqeri, i cili ishte drejtues i automjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte viktima Gilmando Dani, është i intubuar dhe ndodhet ne reanimacion.

