• Wed. Nov 12th, 2025

100 plumba për vrasjen e Gilmando Danit, çfarë dihet deri tani për ekzekutimin e mikut të Emiljano Shullazit

Bykfvanews

Nov 12, 2025

Përballë aeroportit të Rinasit, në portën hyrëse të Shqipërisë, ku në 10 muaj hynë 10 milionë udhëtarë, që presupozohen të jetë vendi më i sigurt në Shqipëri, rreth orës 14:20 të kësaj të marte ndodhi një atentat tipik mafioz, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt dy personave.

Pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri u rikthyen në atdhe dhe me mjetin të cilin e kishin parkuar brenda aeroportit dolën drejt rrethrrotullimit të aeroportit, pa e ditur se do të binin në kurthin e ngritur nga së paku 4 persona të cilët i donin patjetër të vdekur.

Një mjet Toyota iu vu pas makinës së tyre duke qëlluar me breshëri dhe pa iu dhënë mundësi reagimi. Mbi 100 plumbat e derdhur drejt Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit detyruan makinën të stopohej dhe krijuan panik dhe dëme materiale edhe në bizneset e zonës të mbushura me qytetarë. Autorët u larguan nga vendngjarja vetëm kur u bindën se misioni ishte kryer, raporton KFVA.

Nga të shtënat, Gilmando Dani, i cili ishte në vendin e pasagjerit, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe po lufton me jetën në spital.

Pas krimit, atentatorët u larguan drejt fshatit Halil, ku braktisën makinën e përdorur në ngjarje dhe brenda saj municionin dhe 4 kallashnikovë.

Policia dyshon se ata kanë pasur informacion të plotë mbi lëvizjet e Gilmando Danit, se kur ai kthehej nga Barcelona dhe me çfarë makine lëvizte.

Pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Emiliano Shullazit, Gilmando Dani ka një CV të pasur kriminale, mbi të cilën policia do të ndalet për të identifikuar shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. I arrestuar disa herë për armëmbajtje, kanosje dhe gjobëvënie, Dani kishte veç një vit që kishte dalë nga burgu. Kjo është hera e tretë ndaj të cilit organizohen sulme me armë. Më herët, Dani i ka shpëtuar atentateve të ngjashme në 2011 dhe 2015.

Ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, rezulton pa probleme me ligjin. Ai rezulton prej 3 muajsh i punësuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që presupozohen të pastrojë radhët e policisë, por që udhëtonte dhe shoqërohej me një person me dritëhije kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *