Një person është lënduar si pasojë e aksidentit që ka ndodhur sot mes trenit dhe një veture te “Përroi i Njelmët” në Prishtinë.
Enis Pllana, zëdhënës për media në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka theksuar se informatën e kanë pranuar rreth orës 16:00.
“Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një tren. Si pasojë, lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.
Ai shtoi se me rastin po merret Trafiku Rajonal i Prishtinës.
Një aksident i ngjashëm ka ndodhur sot edhe në fshatin Baicë të Drenasit, ku një tren ka goditur një veturë tjetër.

