Tre punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë kanë vdekur brenda ditës së sotme në Kosovë. Dy kanë vdekur në një vendpunishtë në Gjakovë, ku kanë rënë nga lartësia e një objekti që ka qenë në ndërtim e sipër, e një tjetër në Istog, i cili kishte rënë nga kati i tretë i një objekti para një muaji. Reporteri.net ju sjell detaje rreth këtyre rasteve tragjike.
Dita e sotme ka qenë e kobshme. Brenda pak orëve, kanë vdekur tre punëtorë të ndërtimtarisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Rasti i parë ndodhi në Gjakovë, ku dy persona kanë vdekur pasi kanë rënë nga një objekt që ishte në ndërtim e sipër.
Vdekjen e tyre e konfirmoi për Reporteri.net Drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Dyshohet se kanë rënë nga lartësia nga një objekt në ndërtim e sipër. Mjeku në emergjencë e ka konfirmuar vdekjen”, tha Graishta.
Më shumë detaje rreth rastit dha pastaj zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili konfirmoi se dy personat që kanë vdekur janë të moshës madhore.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ” në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre. “Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarr veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar ai.
Për vdekjen e tyre, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ndaluar dy persona për 48 orë.
Ata janë ndaluar për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria e Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, deklaroi Prokuroria.
Një punëtor tjetër i ndërtimtarisë ka vdekur në Istog. Ai kishte rënë para një muaji nga ndërtesa ku po punonte. Bëhet fjalë për një 65-vjeçar nga fshati Gurrakoc i Istogut.
Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor, kur viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës. Për shkak të lëndime të rënda, ai fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me urdhër të prokrurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar Gashi.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka cilësuar situatën alarmante dhe tejet shqetësuese.
Azemi kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë zinxhir tragjedish në vendin e punës.
“Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” shtoi ai./
